Rikthimi në timon, mision i vështirë: Vetëm 5 nga 43 kandidatë kalojnë provimin

Data

Rifitimi i lejes së drejtimit vijon të mbetet një sfidë serioze për shumë drejtues mjetesh në vend. Të dhënat zyrtare tregojnë se niveli i kalueshmërisë në procesin e ritestimit është shumë i ulët, duke reflektuar mungesë përgatitjeje dhe njohjeje të rregullave bazë të qarkullimit rrugor.

Sipas rezultateve të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në sesionin e fundit të ritestimit u riregjistruan 43 kandidatë, por vetëm 5 prej tyre arritën të kalojnë me sukses provimin.

Shifrat e përgjithshme janë po aq domethënëse. Që nga nisja e fushatës së ritestimit në qershor të vitit 2022, janë riregjistruar gjithsej 2.804 drejtues mjetesh, ndërsa vetëm 369 prej tyre kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit. Kjo përfaqëson vetëm 13.1% të totalit.

Autoritetet theksojnë se procesi i ritestimit nuk ka si qëllim ndëshkimin, por rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin që në qarkullim të rikthehen vetëm drejtues të përgjegjshëm, të aftë dhe të ndërgjegjshëm për rregullat e Kodit Rrugor.

Sipas DPSHTRR-së, shumica e dështimeve lidhen me mungesën e përgatitjes serioze dhe neglizhencën ndaj rregullave bazë të drejtimit. Për këtë arsye, drejtuesit që janë në proces ritestimi inkurajohen të përdorin materialet zyrtare të përgatitjes, përfshirë simulimet online dhe aplikacionet digjitale të dedikuara.

Institucioni thekson se rrugët kërkojnë drejtues të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, ndërsa rifitimi i lejes së drejtimit është një proces që kërkon përkushtim, disiplinë dhe ndërgjegjësim të plotë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related