Gazetari Artan Hoxha ka komentuar mundësinë e marrjes në pyetje të Emiljano Shullazit në lidhje me atentatin e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit, ku u ekzekutuan Gilmando Dani, krahu i djathtë i Shullazit, dhe punonjësi i AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Sipas Hoxhës, thirrja e Shullazit për dëshmi është lajm në vetvete për shkak të peshës që ai ka pasur në botën e krimit dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me viktimën kryesore të atentatit. Ai thekson se Shullazi ka qenë personi që e ka përjetuar më rëndë humbjen e Danit, njeriun më të afërt të tij.
Megjithatë, gazetari shprehet skeptik se Shullazi do të japë informacione që ndihmojnë realisht hetimin, duke theksuar se ai nuk është një person që bashkëpunon me autoritetet.
“Shullazi nuk është nga ata që bashkëpunojnë lehtë me shtetin. Ai i përket një modeli të vjetër të botës së krimit, ku rregulli është: bëje vetë, mos u mbështet te shteti”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, fakti që kundërshtarët e Shullazit nuk janë goditur seriozisht nga drejtësia dhe perceptimi se ata vazhdojnë të kenë ndikim mbi strukturat e ligjit, e bën edhe më të pamundur që ai të flasë. Çdo deklaratë e tij, sipas Hoxhës, mund të përfundojë menjëherë në vesh të rivalëve.
Artan Hoxha thekson se atentati i Rinasit nuk është një ngjarje që zbardhet lehtë dhe se hetimi mund të ecë përpara vetëm nëse autorët bëjnë gabime ose nëse dikush nga rrethi i tyre vendos të bashkëpunojë.
Ai shton se Shullazi ka kaluar rreth dhjetë vite në burg dhe se gjatë kësaj kohe balancat e botës kriminale në Shqipëri janë përmbysur në disfavor të tij. Sipas Hoxhës, shpresa për rikthimin e ndikimit të Shullazit lidhej pikërisht me Gilmando Danin, por eliminimi i tij e ka dobësuar ndjeshëm këtë mundësi.
“Nuk kam shumë shpresë që Shullazi do të dëshmojë. Ai e di shumë mirë se sa i vogël është hapi i hetuesve dhe sa të fortë janë kundërshtarët e tij. Në këto kushte, heshtja për të është mbrojtje”, përfundoi Hoxha.
