Policia italiane ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në Sardenja, duke goditur dy rrjete kriminale italo-shqiptare të përfshira në trafik ndërkombëtar droge. Aksioni, i koduar “Termine”, u realizua nga Karabinierët në bashkëpunim me autoritetet antimafia dhe është vazhdim i hetimeve të nisura në tetor të vitit të kaluar.
Që në orët e para të mëngjesit të 12 janarit, Karabinierët e Komandës Provinciale të Cagliarit dhe Kompanisë Carbonia, me urdhër të Prokurorisë Antimafia të Distriktit të Cagliarit, ekzekutuan 8 urdhër-arreste ndaj personave të dyshuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Operacioni u shtri në disa provinca, përfshirë Cagliari, Nuoro, Sassari dhe Pisa, me pjesëmarrjen e mbi 50 efektivëve.
Sipas autoriteteve, tre persona u dërguan në burg, katër u vendosën në arrest shtëpiak, ndërsa një shtetas shqiptar 31-vjeçar, banues në Cascina, u urdhërua të qëndrojë në Sardenja. Të gjithë kishin qenë më herët nën hetim, por masat u morën pas përfundimit të fazës së re hetimore.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit bashkëpunonin me dy organizata kriminale sardenjane, të cilat kishin lidhje të drejtpërdrejta me elementë kriminalë shqiptarë në zona të ndryshme të Italisë. Njëra organizatë merrej me sigurimin e kokainës dhe heroinës nga kontinenti për t’u shpërndarë në Sardenja, ndërsa tjetra përbëhej nga shoferë kamionësh, të organizuar në mënyrë hierarkike, që transportonin drogën dhe më pas rikthenin paratë e fituara për furnizime të reja.
Gjatë hetimit janë sekuestruar:
- 127 kg kokainë
- 7 kg heroinë
- 53 kg hashash
- 1 kg marijuanë
- 47 armë zjarri (përfshirë pushkë sulmi, mitralozë, pistoleta, revolverë, granata dhe municione)
- 380 mijë euro cash
Autoritetet italiane e konsiderojnë operacionin një goditje të rëndë ndaj trafikut të drogës dhe bashkëpunimit kriminal mes grupeve italiane dhe shqiptare, duke theksuar se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
