Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar edhe sot denoncimet për situatën e krijuar nga përmbytjet në qytetin e Durrësit, të cilat prej rreth një jave kanë lënë shumë zona nën ujë.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha ka publikuar pamje video që tregojnë gjendjen e rëndë me të cilën po përballen ende banorët. Në video shihet një qytetar që lëviz me çizme në oborrin e banesës së tij, i cili vazhdon të jetë i përmbytur edhe gjashtë ditë pas reshjeve intensive.
Sipas Berishës, pamjet dëshmojnë mungesën e masave efektive nga ana e qeverisë për përballimin dhe zgjidhjen e situatës, pavarësisht kohës së kaluar nga përmbytjet.
“Këto pamje janë sot, 6 ditë pas përmbytjes në Durrës!”, shkruan ai, duke theksuar se shumë familje vijojnë të jetojnë në kushte të vështira.
Përmbytjet e fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe kanë vështirësuar jetën e banorëve në disa zona të qytetit, ndërsa kërkesat për ndërhyrje të menjëhershme vijojnë.
