Ndërsa Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë për shkak të përmbytjeve masive që kanë prekur mijëra banesa dhe biznese në qytete si Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Lezha, kritikat ndaj qeverisë janë shtuar ndjeshëm.
Ish-deputeti Petrit Vasili ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për braktisje të qytetarëve dhe mungesë totale përgjegjësie përballë një emergjence kombëtare. Në një intervistë televizive, Vasili u shpreh se vendi nuk ka më një qeveri funksionale, por vetëm një kryeministër që, sipas tij, sillet me cinizëm dhe papërgjegjshmëri.
Sipas Vasilit, në momentin kur Shqipëria po përmbytej, Rama zgjodhi të udhëtonte drejt Francës për një takim zyrtar, ndërkohë që qytetarët në disa qarqe përballeshin me ujë në banesa dhe humbje të mëdha ekonomike. Ai e cilësoi të papranueshme edhe faktin që kryeministri reagoi publikisht vetëm pas disa ditësh, duke u mjaftuar me deklarata dhe podkaste.
“Ndërkohë që vendi ishte i përmbytur deri në grykë, kryeministri postonte foto nga vizitat jashtë vendit. Liderët seriozë ndërpresin çdo aktivitet dhe janë në krye të punëve. Ky rri me podcast”, u shpreh Vasili.
Ai theksoi se shtabi i emergjencës duhej të ishte mbledhur brenda orëve të para dhe jo pas disa ditësh, duke shtuar se mungesa e reagimit të shpejtë ka agravuar situatën në terren.
Vasili ngriti akuza të forta edhe për korrupsionin dhe mungesën e investimeve reale në infrastrukturë. Sipas tij, Durrësi u përmbyt me vetëm 40 milimetra shi, ndërkohë që në të kaluarën ka përballuar reshje shumë më të mëdha pa pasoja të tilla.
“Kur Durrësi përmbytet me 40 mm shi, kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por vjedhje dhe paaftësi. Janë vjedhur fondet, janë bërë investime fiktive dhe sot qytetarët paguajnë çmimin”, tha ai.
Ai shtoi se nëse miliardat e eurove të shpërdoruara do të ishin investuar siç duhet, dëmet do të ishin minimale dhe shteti do të kishte mundësi reale për dëmshpërblime. Sipas Vasilit, mungesa e shpalljes së gjendjes së emergjencës tregon qartë se qeveria ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë dramës së qytetarëve.
Në përfundim, Vasili u shpreh se kryeministri po tallet me shqiptarët, duke i krahasuar përmbytjet në vend me situata jashtë Shqipërisë dhe duke shmangur përgjegjësinë direkte për dështimin e menaxhimit të krizës.
