Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se situata në vend vijon të jetë e rënduar si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe dëborës që kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit gjatë orëve të fundit. Problematicat më të theksuara raportohen në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në zonat e tjera situata paraqitet më e qëndrueshme dhe e menaxhueshme.
Strukturat e emergjencave civile, në koordinim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave, monitorimin e vazhdueshëm dhe stabilizimin e situatës.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë shtim të ujit në zona si Obot dhe Dajç, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta, por nuk raportohen përmbytje banesash. Argjinaturat dhe kanalet kulluese vijojnë të funksionojnë normalisht.
Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në Sukth dhe Katund të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë tokë bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve.
Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative. Po punohet për hapjen e rrugëve rurale dhe garantimin e aksesit, ndërsa vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me përfshirjen e forcave të specializuara.
Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka përmbytur toka bujqësore, ka sjellë ujë në disa banesa dhe objekte publike, si dhe ka detyruar evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore me mbështetje të forcave të emergjencës.
Në Qarkun Fier, dalja nga shtrati e lumenjve Seman dhe Shkumbin ka përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe ka prekur disa banesa. Bashkitë janë në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë nevojën për masa shtesë.
Ndërkohë, në qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat kryesore lidhen me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime akseve rrugore dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.
Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe me mjete dhe personel të specializuar për lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve në zonat e prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet në zona me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
