Deputeti Erion Braçe ka reaguar në rrjetet sociale mbi humbjen graduale të pamjes së Malit të Dajtit nga Tirana, duke e cilësuar situatën si të pakthyeshme për shkak të zhvillimit urban të pakontrolluar.
Në një video të publikuar prej tij, mali i mbuluar me dëborë shihet vetëm për pak çaste, përpara se pamja të ndërpritet nga ndërtesat e larta të kryeqytetit. Sipas Braçes, sot është gjithnjë e më e rrallë që qytetarët të shijojnë bukurinë e malit nga hapësirat publike, pasi kjo mundësi është kufizuar pothuajse vetëm për ata që ndodhen në tarracat e pallateve.
“Në një qytet me malin pranë, duhet të shohësh malin, veçanërisht në ditë të rralla me dëborë. Tirana ka gjithnjë e më pak kënde nga ku mund ta shijosh këtë pamje. Është e pakthyeshme dhe duhej menduar kur ndërtohej”, shprehet ai.
Reagimi i Braçes shihet si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si është zhvilluar Tirana ndër vite, duke ngritur shqetësimin për humbjen e lidhjes vizuale dhe natyrore të qytetit me malin dhe mjedisin përreth.
