Stuhia e borës paralizon Evropën/ Anulohen fluturime, trena dhe tragete në disa vende

Data

Stuhia e borës po vijon të shkaktojë kaos në mbarë Evropën, duke sjellë anulime dhe vonesa të shumta në transportin ajror, hekurudhor dhe detar. Kushtet e vështira atmosferike kanë prekur veçanërisht Holandën, Francën, Greqinë dhe Britaninë e Madhe.

Në Holandë, disa fluturime hyrëse janë anuluar dhe të tjera janë vonuar në aeroportin e Amsterdamit, ndërsa trafiku hekurudhor është përballur me probleme dhe pezullime linjash, veçanërisht në jug të vendit. Reshjet e borës pritet të vijojnë gjatë ditës, duke u shndërruar gradualisht në shi.

Në Francë, situata mbetet e rënduar në lindje të vendit, ku qindra shoferë kamionësh kanë mbetur të bllokuar për shkak të ndalimit të qarkullimit për automjetet e tonazhit të rëndë. Autoritetet kanë lejuar vetëm mjetet borëpastruese, ndërsa ekipet e emergjencës kanë shpërndarë ushqime dhe ndihma për drejtuesit e mjeteve të bllokuara.

Në Greqi, trafiku detar ka rifilluar pjesërisht pas uljes së intensitetit të erërave, por autoritetet paralajmërojnë se anulime të tjera mund të ndodhin në varësi të përkeqësimit të motit. Pasagjerëve u rekomandohet të verifikojnë oraret përpara udhëtimit.

Ndërkohë, në Britaninë e Madhe është në fuqi një paralajmërim për borë, reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe rrezik për përmbytje. Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat pritet të bien ndjeshëm në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për ndërprerje të mëtejshme në transport.

Autoritetet në të gjithë Evropën u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare, pasi kushtet e motit mbeten të paqëndrueshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related