Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi nga Korça se qeveria aktuale ka dalë jashtë çdo kontrolli për shkak të korrupsionit, mungesës së përgjegjshmërisë dhe krizës morale, ndërsa paralelisht edhe Partia Demokratike ndodhet në një fazë të thellë krize që kërkon reformim të menjëhershëm.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve demokratë, Salianji u ndal te projekti i rrugës Qukës–Qafë Plloçë, të cilin e cilësoi si simbol të dështimit dhe korrupsionit qeveritar.
“Rruga Qukës–Qafë Plloçë është tenderuar që në vitin 2013 dhe ka shkuar në 260 milionë euro. Sot është e shembur, rrezikon jetën e qytetarëve dhe ka përfituar vetëm një grusht hajdutësh. Thonë se shkurton rrugën, por shkurton vetëm 10 minuta. Ndërkohë askush nuk mban përgjegjësi dhe dalin në televizione sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh Salianji.
Ai theksoi se mungesa e përgjegjësisë politike dhe morale është bërë e zakonshme, duke e cilësuar situatën si të papranueshme edhe për standardet minimale të një demokracie funksionale.
“Nuk kemi vetëm krizë politike, por edhe krizë morale. Bëjnë korrupsion, rrugët shemben, qytetarët rrezikohen dhe askush nuk mban përgjegjësi”, shtoi ai.
Salianji deklaroi se qeveria e Edi Ramës është jashtë kontrollit dhe se ky është momenti që qytetarët dhe demokratët të reagojnë, duke marrë fatin e tyre në dorë.
“Shqiptarët nuk kërkojnë luftë, por normalitet dhe respekt. Ky kapitull duhet mbyllur. Ndryshimi nuk vjen vetvetiu, vjen duke marrë përgjegjësi”, theksoi ai.
Në vijim, ish-deputeti kritikoi hapur lidershipin e Partisë Demokratike, duke pranuar se partia ndodhet në krizë për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore ndër vite.
“PD është në krizë, nuk mund ta mohojmë. Demokratët janë të lodhur dhe një pjesë janë larguar nga politika nga zhgënjimi. Ata kërkojnë respekt, hapje dhe ripërtëritje reale, jo vetëm emra të rinj, por frymë të re”, u shpreh Salianji.
Ai theksoi se PD duhet të kthehet në shtëpinë e të gjithë demokratëve dhe se vetëm përmes reformimit të vërtetë dhe bashkimit mund të përballet me qeverinë.
“Demokratët kanë një fuqi të jashtëzakonshme për ndryshim. Shqipëria është kapur prej fyti ekonomikisht dhe politikisht, por kjo situatë mund të ndryshojë vetëm nëse PD hapet dhe ringrihet”, përfundoi Salianji.
