Ervin Salianji ka lëshuar akuza të forta ndaj lidershipit të Partisë Demokratike gjatë një takimi në Korçë, duke theksuar se mungesa e koherencës dhe vendimmarrjet kontradiktore po dëmtojnë rëndë opozitën.
Salianji deklaroi se në zonën që ai ka mbuluar politikisht, Partia Demokratike ka arritur ta kthejë një humbje në barazim, pavarësisht presionit dhe kushteve të pabarabarta gjatë zgjedhjeve. Sipas tij, rezultati u arrit pa përdorur para dhe përballë një makinerie shtetërore të drejtuar nga qeveria.
Ai ngriti pyetjen nëse përgjegjësia për humbjen e thellë, me një diferencë prej rreth 22 mijë votash, i përket vetëm atyre që sipas tij “vodhën zgjedhjet”, apo edhe drejtimit të PD-së. Salianji theksoi se largimi i popullsisë nga zona ka sjellë edhe humbjen e një mandati deputeti.
Në kritikën e tij, ai u shpreh se disa “rrogëtarë” po e mbajnë peng Partinë Demokratike dhe po përpiqen ta nënshtrojnë atë politikisht. Sipas Salianjit, takimet me demokratët nuk i shqetësojnë strukturat e partisë, por vetëm kryeministrin Edi Rama.
“Paradite lidershipi ofron bashkinë, pasdite përjashton. Paradite kërkojnë drejtësi, pasdite sulmojnë SPAK-un. Në mëngjes thonë se Avokati i Popullit u zgjodh nga Rama, pasdite e pranojnë kur merr funksion”, deklaroi Salianji.
Ai theksoi se Partisë Demokratike i shërben revolta, përplasja dhe përballja e drejtpërdrejtë me qeverinë dhe me kryeministrin Edi Rama, duke shtuar se vetëm përmes reagimit politik të fortë dhe të sinqertë mund të rikthehet besimi i qytetarëve.
Takimi në Korçë u shoqërua me mbështetje nga demokratët dhe thirrje për një opozitë më të bashkuar dhe më të vendosur përballë qeverisë.
