Zjarri te ish-Uzina Dinamo, ja çfarë thotë ekspertiza

Data

Një shkëndijë elektrike dyshohet të ketë qenë shkaku fillestar i zjarrit që përfshiu tregun industrial te ish-Uzina Dinamo. Megjithatë, përhapja e shpejtë e flakëve dhe shkrumbimi i tre kapanoneve brenda pak minutash lidhet drejtpërdrejt me mosplotësimin e kushteve të sigurisë kundër zjarrit nga ana e objektit.

Sipas ekspertizës, godina nuk i plotësonte kriteret bazë për funksionimin si treg. Në një inspektim të kryer gjatë vitit 2025, objekti ishte gjobitur dhe i ishin lënë detyra konkrete për përmirësimin e sigurisë, por këto nuk ishin zbatuar.

“Objekti nuk i plotësonte kriteret për të qenë treg. Dyqanet ishin të ndara me llamarina dhe instalimet elektrike nuk ishin hermetike”, u shpreh zjarrfikësi Arben Cara.

Operacioni për shuarjen e zjarrit u konsiderua tepër i vështirë, jo vetëm për shkak të strukturës së ndërtesës dhe çatisë së përbashkët që favorizonte përhapjen e flakëve, por edhe për shkak të rrezikut të lartë nga dyqanet që tregtonin bombola gazi dhe parfume.

“Zjarri përhapej shumë shpejt dhe ekzistonte rreziku real për shpërthim, gjë që rrezikonte seriozisht jetën e zjarrfikësve dhe personave përreth”, shtoi Cara.

Për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen, ekspertët këshillojnë bizneset të marrin masa parandaluese, si fikja e energjisë elektrike pas mbylljes së aktivitetit, përdorimi i instalimeve elektrike cilësore dhe shmangia e burimeve të hapura të zjarrit, përfshirë edhe cigaret.

Ndërkohë, policia dhe prokuroria e Tiranës kanë nisur hetimet për shkrumbimin e mbi 50 bizneseve, me dëme të konsiderueshme financiare. Nga të dhënat paraprake, ngjarja po trajtohet si aksidentale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related