Një tragjedi e rëndë është shënuar në verilindje të Nigerisë, ku një varkë me pasagjerë është përmbysur, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 25 personave, ndërsa 14 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas autoriteteve lokale, varka po transportonte fermerë dhe peshkatarë që udhëtonin nga shteti Jigawa drejt shtetit Yobe. Aksidenti ndodhi në rrethana ende të paqarta.
Drejtori ekzekutiv i shërbimit të shpëtimit të shtetit Yobe bëri të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vijim, ndërsa deri më tani janë shpëtuar 13 pasagjerë.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur shkaqet e përmbysjes së mjetit lundrues, ndërkohë që familjarët e viktimave presin me ankth informacione për të zhdukurit.
