Djegia e bizneseve në tregun e “5 Majit”, Berisha akuza të forta: Mafia e betonit i vuri flakën për të ndërtuar kulla

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra pas djegies së dhjetëra bizneseve në tregun e “5 Majit” në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të qëllimshëm të lidhur me interesa të mëdha ndërtimi.

Sipas Berishës, zjarri nuk ka qenë aksidental, por i organizuar nga ajo që ai e quajti “mafia e betonit”, me qëllim zhdukjen e tregut dhe hapjen e rrugës për ndërtimin e kullave shumëkatëshe në atë zonë strategjike të kryeqytetit.

“Do të ndërtohen kulla aty. Mafia e betonit, e kokainës dhe e drogës i vë flakën bizneseve për të ndërtuar kulla në atë shesh”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se tregu i “5 Majit” ishte një nyje e rëndësishme ekonomike dhe sociale, ku furnizoheshin me veshje qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Sipas tij, shkatërrimi i këtij tregu ka pasoja të rënda jo vetëm për mijëra familje që humbën vendet e punës, por edhe për konsumatorët që mbështeteshin te çmimet e përballueshme të këtij tregu.

“Digjen mijëra biznese në mes të Tiranës, mijëra qytetarë humbasin bukën e gojës, ndërsa qindra mijëra shqiptarë që visheshin në atë treg sot mbeten pa alternativa. Dhe pse ndodh kjo? Sepse aty parashikohen kulla. Ky është krimi”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për heshtje dhe mungesë reagimi, duke shtuar se ndërkohë që vendi përballet me përmbytje dhe kriza sociale, vëmendja e pushtetit është e përqendruar te interesat e mëdha të ndërtimit dhe jo te qytetarët e prekur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related