Dy ditë para se Prokuroria e Posaçme të godiste skemën e dyshuar të abuzimeve me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kryeministri Edi Rama dyshohet se ka zhvilluar një takim të gjatë dhe të fshehtë me biznesmenin Ergys Agasi, i cili aktualisht ndodhet në kërkim nga drejtësia për disa vepra të rënda penale.
Sipas burimeve, takimi ka zgjatur rreth katër orë dhe është zhvilluar në ambientet e një poçerie në pronësi të një miku të afërt të kryeministrit, pranë Kryegjyshatës. Ky ambient, i frekuentuar nga Rama për aktivitete personale, dyshohet se është përdorur edhe më herët për takime joformale, larg syrit të publikut.
Burimet bëjnë me dije se gjatë takimit janë diskutuar çështje që lidhen me tenderët e AKSHI-t, emërime në administratën shtetërore dhe lidhje të dyshuara me grupe kriminale që kanë ndikuar në proceset vendimmarrëse. Zyrtarisht pretendohet se në atë moment kryeministri nuk kishte dijeni për operacionin e SPAK, por fakti që Agasi është larguar nga vendi një ditë para aksionit ka ngritur dyshime serioze se hetimi është dekonspiruar.
Ndërkohë, Agasi po konsiderohet si një “bombë” politike për qeverinë. Prokuroria e Posaçme ka siguruar materiale audio dhe video që dokumentojnë pazare për tendera publikë, diskutime për kazinotë, menaxhimin e buxhetit të AKSHI-t dhe marrëveshje të dyshuara me zyrtarë shtetërorë dhe persona të lidhur me pushtetin. Këto materiale janë regjistruar nga vetë Agasi përmes një kamere të fshehtë të instaluar në zyrën e tij.
Pavarësisht se ishte thirrur disa herë më parë në SPAK dhe kishte kohë të mjaftueshme për të zhdukur provat, Agasi nuk ka fshirë asnjë material komprometues. Pajisja e regjistrimit, së bashku me një laptop dhe disa telefona celularë të sekuestruar në banesën dhe zyrën e tij, janë kthyer në prova kyçe në dosjen hetimore që po hetohet.
Nga përgjimet rezultojnë takime dhe biseda të Agasit me ministra, drejtues të administratës publike, përfaqësues të Policisë së Shtetit, si dhe persona të lidhur me botën e krimit. Për shkak të volumit të madh të materialeve të sekuestruara, dosja është ndarë në disa fraksione dhe hetimet po vijojnë.
Në këtë kontekst, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar më herët se ekziston një përgjim ambiental ku përmendet familja e kryeministrit në lidhje me AKSHI-n. Sipas tij, një kompani e lidhur me njerëz të afërt me pushtetin ka përfituar rreth 43 milionë euro përmes skemave të dyshuara me prestanome, ndërsa ish-nëndrejtori i AKSHI-t është kërcënuar për të heshtur.
Hetimet e SPAK pritet të zbardhin rolin e secilit person të përfshirë dhe të përcaktojnë nëse ka pasur ndërhyrje politike apo dekonspirim të operacioneve hetimore.
