Autoritetet zvicerane kanë arrestuar pronarin e resortit të skive në Crans-Montana, ku një zjarr tragjik i ndodhur natën e ndërrimit të viteve mori jetën e 40 personave dhe la të plagosur 116 të tjerë. Shumica e viktimave raportohet se ishin adoleshentë.
Zjarri shpërtheu në barin “Le Constellation” gjatë festimeve të Vitit të Ri, ndërsa prokurorët dyshojnë se flakët nisën si pasojë e përdorimit të shampanjës me fishekzjarrë. Sipas hetimeve paraprake, fishekzjarrët kanë ndezur shkumën izoluese akustike në tavanin e lokalit, duke bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi.
Autoritetet kanë bërë me dije se në këtë bar nuk ishin kryer inspektime të sigurisë nga zjarri që prej vitit 2019. Kryebashkiaku i Crans-Montana deklaroi se, sipas rregullave, baret në qytet duhet t’i nënshtrohen kontrolleve vjetore, ndërsa inspektimi i fundit në këtë lokal ishte konsideruar pozitiv.
Sipas tij, materiali i shkumës izoluese ishte i lejuar në atë kohë dhe për shkak të përmasave të lokalit nuk ishte kërkuar instalimi i një sistemi alarmi kundër zjarrit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa arrestimi i pronarit është pjesë e procedurave penale që po ndiqen nga autoritetet zvicerane për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për këtë tragjedi të rëndë.
