Pjesë e një grupi që trafikonte kokainë, SPAK dërgon për gjykim dy persona

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 8 janar 2026 ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal nr. 296/2021, në ngarkim të shtetasve Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal.

Origjina e hetimit

Procedimi penal ka nisur mbi bazën e një kërkese nga autoritetet gjyqësore italiane, konkretisht Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences, Drejtoria Distriktuale Antimafia. Hetimet lidhen me një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës, me veprimtari në Shqipëri, Itali dhe Amerikën Latine, përfshirë Ekuadorin dhe Panamanë.

Hetimet italiane nisën pas një operacioni të Guardia di Finanza në portin e Livornos në mars 2021, ku u identifikuan shtetas shqiptarë të kapur në flagrancë gjatë nxjerrjes së një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine.

Përmes përgjimeve telefonike e ambientale, gjurmimeve GPS, vëzhgimeve dhe kontrolleve, u dokumentua veprimtaria e një grupi të strukturuar kriminal, që kishte për qëllim importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në tregun italian.

Grup kriminal ndërkombëtar

Sipas SPAK, grupi përbëhej nga shtetas shqiptarë dhe italianë, të cilët organizonin futjen e ngarkesave të mëdha të kokainës përmes portit të Livornos, me origjinë nga Guayaquil i Ekuadorit. Lënda narkotike blihej në Kolumbi dhe shpërndahej më pas te grupe të ndryshme kriminale në Itali.

Episodet kryesore të sekuestrimit

Gjatë hetimeve janë dokumentuar disa episode të mëdha sekuestrimi të kokainës, me sasi që variojnë nga dhjetëra deri në qindra kilogramë, në magazina dhe zona të ndryshme në Itali, si dhe në Ekuador. Në total, bëhet fjalë për qindra kilogramë kokainë të sekuestruar në periudhën 2021–2022.

Përgjegjësia penale

Për Maksim Ndocin, hetimet provojnë përfshirjen në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto të sekuestruar në portin e Livornos më 2 mars 2022, si dhe rolin e tij në menaxhimin e një sasie tjetër të konsiderueshme të ardhur nga Ekuadori.

Për Juljan Kollçakun, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të sekuestruar në prill 2022 në Frattamaggiore, si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg në Ostia.

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, autoritetet italiane kanë kërkuar ndjekjen penale të këtyre dy shtetasve në Shqipëri, çështje që tashmë do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related