Zjarri me përmasa të mëdha te “5 Maji” / Sherr mes tregtarit dhe përgjegjësit të tregut, ndërhyn policia

Data

Një incident është regjistruar paraditen e sotme në zonën e tregut te “5 Maji” në Tiranë, aty ku një ditë më parë ra një zjarr i madh që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas raportimeve, një tregtar është përfshirë në një konflikt verbal me përgjegjësin e tregut, duke e akuzuar këtë të fundit si përgjegjës për rënien e zjarrit. Situata u tensionua, duke detyruar policinë të ndërhyjë dhe ta shoqërojë tregtarin në komisariat.

Nga zjarri raportohet se janë djegur dy kapanonë, ku ndodheshin mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale rreth 10 mijë metra katrorë. Dëmet materiale janë të konsiderueshme, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur nga një defekt elektrik, konkretisht nga një kabull elektrik në brendësi të një prej kapanonëve. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin e përhapjes së flakëve, të cilat, sipas ekspertëve, kanë karakteristika që lidhen me një shkëndijë elektrike.

Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related