Rama refuzon të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ja çfarë u diskutua në takimin me ministrat

Data

Ndërsa qindra familje dhe biznese në mbarë vendin, veçanërisht në Qarkun e Durrësit, vijojnë të përballen me pasojat e rënda të përmbytjeve, kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme Shtabin e Emergjencave Civile, pa shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Gjatë mbledhjes, ministrat raportuan për dëmet e shkaktuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit, ndërsa Rama refuzoi kërkesën e opozitës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë që do ta detyronte ligjërisht qeverinë të kompensonte plotësisht qytetarët e dëmtuar. Edhe pse premtoi dëmshpërblime, kreu i qeverisë nuk dha shifra konkrete dhe nuk sqaroi nëse kompensimi do të jetë i plotë.

Në vend të një plani të detajuar për zgjidhjen e situatës, Rama sulmoi opozitën, duke i cilësuar thirrjet e saj si “përçarëse”, ndërsa fajësinë për përmbytjet e lidhi edhe me hedhjen e mbeturinave nga qytetarët, që sipas tij kanë bllokuar kanalet kulluese.

Në mbledhje dhe në inspektime në terren është shfaqur edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në një kohë kur SPAK ka kërkuar prej javësh heqjen e imunitetit të saj për ta proceduar penalisht nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në disa raste, përfshirë edhe projektin e tunelit të Llogarasë. Mazhoranca ka shmangur deri tani mbledhjen e Këshillit të Mandateve për këtë çështje.

Menjëherë pas takimit për emergjencat, kryeministri Rama ka nisur një mbledhje informale me kabinetin qeveritar në rezidencën e njohur si “Vila e Kuqe”, e cila pritet të zgjasë gjatë gjithë ditës. Fokus i saj janë objektivat e qeverisë për vitin 2026, në një kohë tensionesh politike dhe pasigurie për fatin politik të zëvendëskryeministres Balluku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related