Takimi i fillimvitit / Rama mbledh kabinetin qeveritar, zbardhen diskutimet dhe prioritetet për 2026-ën

Data

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot takimin e parë të vitit me kabinetin qeveritar, pas mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, ku u diskutua situata e përmbytjeve në disa zona të vendit.

Takimi i sotëm ka pasur karakter pune dhe është fokusuar në përcaktimin e prioriteteve dhe objektivave kryesore të çdo ministrie për vitin 2026. Sipas burimeve, ministrat kanë raportuar mbi planet konkrete të dikastereve që drejtojnë, sfidat kryesore dhe mënyrat më efikase për zbatimin e politikave publike gjatë këtij viti.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar koordinimit ndërinstitucional, rritjes së eficiencës në administratë dhe ndjekjes së projekteve strategjike, ndërkohë që kryeministri ka kërkuar përshpejtim të punës dhe rezultate konkrete në çdo sektor.

Në këtë kuadër, është theksuar nevoja për disiplinë në zbatim, llogaridhënie të vazhdueshme dhe fokus tek çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët, duke kërkuar angazhim maksimal në terren dhe raportim të rregullt mbi ecurinë e punës.

Ndërkohë, është bërë e ditur se një javë më vonë, të premten e 16 janarit, do të zhvillohet një tjetër takim në Pallatin e Brigadave me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Ky takim vjen në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, i cili pritet të fillojë më 19 janar.

Qëllimi i këtij takimi do të jetë koordinimi i punës në Kuvend, përcaktimi i linjës politike për muajt në vijim, si dhe diskutimi i projektligjeve dhe nismave që qeveria synon të çojë përpara gjatë këtij sesioni parlamentar.

Takimet e fillimvitit sinjalizojnë nisjen e një faze intensive pune për mazhorancën, në një vit që pritet të jetë i ngarkuar me sfida politike, ekonomike dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related