Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda ndaj procesit të dhënies së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, duke e cilësuar atë si një aferë të pastër korruptive. Gjatë një interviste televizive, Ahmetaj deklaroi se e ka kundërshtuar projektin që në fillim, së bashku me ish-ministrin Damian Gjiknuri, për shkak të mënyrës se si po procedohej.
Sipas Ahmetajt, koncesioni është vendosur në mënyrë informale, në një zyrë qeveritare, dhe jo përmes një procesi të rregullt ligjor. Ai pretendon se ka pasur një pagesë rreth 3 milionë euro, e cila nuk rezulton e deklaruar zyrtarisht dhe nuk figuron në dokumentacionin publik të projektit.
“Janë ndarë edhe hapësirat tregtare, duty-free-t, pa u inauguruar ende aeroporti. Kjo dihet nga të gjithë,” u shpreh Ahmetaj, duke shtuar se këto informacione i janë komunikuar edhe personalisht. Ai theksoi se nëse këto pagesa janë kryer përmes bankave jashtë Shqipërisë, atëherë duhet të verifikohen nga organet e drejtësisë.
Ahmetaj deklaroi se kundërshtimi i tij nuk ka qenë personal ndaj individëve të përfshirë, por ndaj procedurës dhe modelit të ndjekur. Sipas tij, projekti duhej të ishte testuar fillimisht në një shkallë më të vogël, për shkak të kufizimeve të hapësirës ajrore shqiptare dhe riskut që sjell një investim i tillë në këto kushte.
Ai akuzoi qeverinë se ka injoruar paralajmërimet teknike dhe ekonomike, duke favorizuar interesa të caktuara biznesi. Në fund, Ahmetaj nënvizoi se për këto çështje ekzistojnë dokumente dhe shkresa zyrtare, të cilat sipas tij duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe të plotë nga drejtësia.
