Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Igli Cara, ka deklaruar se situata e krijuar nga përmbytjet në qytetin bregdetar përbën një krim të rëndë ndaj qytetarëve, me pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale për familjet dhe bizneset.
Në një lidhje televizive, Cara u shpreh se është bashkuar me protestën e banorëve të Durrësit, të cilët kërkojnë nga qeveria marrjen e përgjegjësisë dhe dëmshpërblimin e plotë për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Sipas tij, problematika nuk lidhet vetëm me kushtet atmosferike, por me korrupsionin dhe keqmenaxhimin e investimeve publike, duke përmendur konkretisht hidrovorin e Durrësit, për të cilin, sipas Carës, janë shpenzuar rreth 11 milionë euro, por që nuk ka kryer funksionin e tij.
“Në Durrës është kryer një krim, jo vetëm korrupsion. Janë vjedhur miliona euro për një hidrovor që nuk funksionon, ndërsa sot të gjitha zonat janë nën pushtetin e ujit,” u shpreh deputeti demokrat.
Cara theksoi gjithashtu se, ndonëse autoritetet kishin deklaruar se lumi Erzen nuk do të dilte nga shtrati, gjatë ditës së sotme kjo ndodhi, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën edhe në zona përreth, si Katundi i Ri, Sukthi dhe Juba.
“Na thanë se Erzeni nuk do të dilte nga shtrati, por sot doli. Qytetarët nuk kanë nevojë për shfaqje dhe foto nga pushteti lokal, por për ndihmë konkrete dhe përgjegjësi,” tha ai.
Sipas Carës, reshjet e shiut nuk kanë qenë të një niveli ekstrem, çka sipas tij tregon se përmbytjet janë pasojë e papërgjegjshmërisë së pushtetit lokal dhe qendror. Ai akuzoi qeverinë se po refuzon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të kostos financiare që do të sillte dëmshpërblimi i familjeve dhe bizneseve të prekura.
“Nëse nuk merren masa dhe nuk ka përgjegjësi, kjo situatë do të përsëritet sërish,” përfundoi Cara.
