Tre persona kanë mbetur të bllokuar në një automjet tip fuoristradë në zonën malore të Gramshit, pasi mjeti i tyre është ngujuar nga dëbora në aksin Kukur–Rovje.
Sipas informacioneve paraprake, trashësia e dëborës në këtë segment rrugor ka kaluar 60 centimetra, duke e bërë qarkullimin plotësisht të pamundur. Të bllokuarit, banorë të zonës që po ktheheshin nga puna, kanë arritur të kërkojnë ndihmë, por prej disa orësh nuk kanë më asnjë kontakt.
Situata konsiderohet shqetësuese për shkak të temperaturave të ulëta dhe kushteve të vështira atmosferike. Ndërkohë, banorë të fshatit janë nisur në këmbë drejt zonës për t’i gjetur dhe për t’u ardhur në ndihmë, ndërsa pritet edhe ndërhyrja e strukturave përgjegjëse.
