Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të vendit, duke krijuar situata emergjente. Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe evakuimin e banorëve të prekur.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjendja më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim të vazhdueshëm ose pa rrezik të menjëhershëm.
Situata sipas qarqeve
Shkodër
Në fshatin Obot niveli i ujit mbi rrugën kryesore ka arritur deri në 60 cm. Rreth 15 banesa në Vaun e Dejës janë të rrethuara nga uji. Në Malësinë e Madhe dhe në bashkinë Fushë-Arrëz raportohet për rrugë të bllokuara, rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh.
Lezhë
Rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Janë evakuuar dy familje, ndërsa rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji në zona si Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Në Torovicë dhe Tresh ka rrëshqitje dherash, ndërsa po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje në Dukagjin.
Vlorë
Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe zonës së Novoselës. Aktualisht nuk raportohet prani uji në banesa.
Durrës
Situata paraqitet në përmirësim, por rreth 800 banesa dhe objekte ende janë nën ujë. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si edhe kanali i Tones, janë në kuota maksimale. Rreth 305 persona janë strehuar në qendra emergjence. Bashkitë Krujë dhe Shijak raportojnë gjithashtu vërshime dhe banesa të përmbytura.
Gjirokastër
Reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër. Nivele të larta të lumit Vjosë janë regjistruar në Memaliaj dhe Përmet, ndërsa disa zona malore kanë mbetur pa energji elektrike.
Berat dhe Fier
Në Berat janë përmbytur rreth 95 hektarë tokë bujqësore dhe zona urbane si “22 Tetori” dhe Goricë. Në Fier, rreth 200 hektarë tokë bujqësore dhe 27 banesa në disa fshatra janë prekur nga uji.
Në qarqe të tjera si Kukës, Tiranë dhe Korçë, lumenjtë janë në nivele të larta dhe disa rrugë janë të vështira për t’u kaluar, por pa problematika kritike deri në këto momente.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda dhe të kalueshmërisë së lartë, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse. Forcat janë përqendruar kryesisht në qarqet më të prekura për evakuime, përforcim argjinaturash dhe largim të ujërave.
