Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar gjatë konferencës së sotme për mediat qëndrimin refuzues të partive të reja opozitare ndaj tryezës së thirrur nga PD-ja, e cila pritet të mbahet ditën e nesërme.
I pyetur për vendimin e partive “Mundësia”, “Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë” për të mos marrë pjesë në këtë takim, Berisha u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë situatën pa u zhvilluar tryeza, duke lënë të hapur mundësinë që qëndrimet e tyre të ndryshojnë.
“Nuk paragjykoj askënd. Dera është e hapur dhe deri nesër gjithçka mund të ndryshojë,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se ftesa e Partisë Demokratike është e hapur për të gjithë ata që e konsiderojnë veten opozitarë dhe që janë kundër qeverisë aktuale. Sipas tij, objektivi kryesor është ndërtimi i një fronti sa më të gjerë opozitar përballë qeverisjes së Edi Ramës.
Berisha nënvizoi se bashkimi i forcave opozitare është i domosdoshëm për të përballuar situatën politike në vend dhe për t’i dhënë fund, sipas tij, keqqeverisjes aktuale.
