Klodian Braho ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë si drejtues i Prokurorisë së Posaçme, me pjesëmarrjen e të gjithë prokurorëve të posaçëm.
Gjatë fjalës së tij, Braho u ndal te objektivat kryesore të drejtimit të institucionit, duke theksuar nevojën që prokurorët të angazhohen aktivisht në dhënien e mendimeve profesionale për Kodin e ri Penal, proces i kërkuar nga Ministria e Drejtësisë. Ai kërkoi gjithashtu sugjerime dhe vlerësime lidhur me marrëdhëniet që Prokuroria e Posaçme ka me Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.
Një tjetër mesazh i qartë i Brahos lidhej me mbarëvajtjen e proceseve hetimore, duke kërkuar respektim rigoroz të afateve procedurale dhe angazhim maksimal në trajtimin e çështjeve në hetim.
Mbledhja zgjati rreth 20 minuta dhe kishte karakter orientues për mënyrën e funksionimit dhe prioritetet e drejtimit të ri.
Klodian Braho nisi zyrtarisht detyrën si drejtues i Prokurorisë së Posaçme në dhjetor 2025, pas përfundimit të mandatit trevjeçar të Altin Dumanit. Dy ditë më parë ai firmosi strukturën e re drejtuese, ndërsa Dumani mori detyrën e drejtuesit të seksionit për marrëdhëniet me jashtë vendit.
