“Rama kreu i grupit kriminal, së shpejti dalin videot…” – Kuçana kallëzim në SPAK: Kemi të bëjmë me një narko-qeveri

Data

Përfaqësues të opozitës kanë depozituar një kallëzim të ri në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me përmbytjet e rënda në Durrës, duke ngritur akuza të forta ndaj qeverisë, pushtetit lokal dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një prononcimi për mediat para godinës së SPAK, anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, deklaroi se situata e përmbytjeve nuk është pasojë e faktorëve natyrorë, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes dhe abuzimeve shumëvjeçare.

Sipas saj, përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin, të cilin ajo e akuzoi si drejtues të një strukture kriminale.

“Kemi të bëjmë me një narko-qeveri. Prej rreth një viti po denoncojmë se këta funksionojnë si një grup i strukturuar kriminal,” u shpreh Kuçana, duke paralajmëruar publikimin e videove që, sipas saj, do të faktojnë lidhje të drejtpërdrejta mes krimit dhe pushtetit. Ajo tha se materialet filmike do të tregojnë pazare dhe komunikime direkte me kryeministrin.

Kuçana e përshkroi situatën në Durrës si dramatike, duke theksuar se qindra familje kanë pësuar dëme të rënda ekonomike dhe psikologjike, ndërsa institucionet shtetërore kanë munguar plotësisht në menaxhimin e emergjencës.

“Ata nuk e kanë më hallin e qytetarëve. Fillimisht kishin hallin të vidhnin paratë e shqiptarëve, tani kanë hallin t’i fshehin ato. Por kjo nuk do të zgjasë,” deklaroi ajo, duke shtuar se vëmendja ndërkombëtare ndaj Shqipërisë është rritur ndjeshëm dhe se askush nuk do të mund t’i shpëtojë përgjegjësisë.

E pyetur pse opozita i është drejtuar sërish SPAK-ut, pas një kallëzimi të mëparshëm që ishte shpallur moskompetencë, Kuçana tha se këtë herë beson se institucioni do të veprojë me seriozitet dhe intensitet më të madh.

Ajo i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë pa kompromis, duke theksuar se qytetarët shqiptarë ndihen të braktisur, të vjedhur dhe pa shpresë nga qeverisja aktuale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related