Situata nga përmbytjet në Fier paraqitet e rënduar. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh, 27 banesa kanë prezencë të lartë të ujit.
Sipas të dhënave të fundit, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Ndërkohë, nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin vijojnë të jenë në rritje.
Në rrezik për dalje nga shtrati është edhe lumi Vjosë, pasi prurjet në Urën e Mifolit kanë kaluar pikat e matjes. Aktualisht, niveli i ujit ka arritur pikën kritike përgjatë argjinaturës, buzë më buzë.
Si pasojë e prurjeve të Vjosës, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, prej nga furnizohet me ujë i pijshëm qyteti i Fierit. Si masë paraprake, janë stakuar disa pompa pranë lumit dhe po punohet me kapacitet të reduktuar përmes puseve të tjera më larg. Kjo ka sjellë reduktim të furnizimit me ujë, i cili po realizohet me grafik.
Të dhënat nga pika e matjes në Urën e Memaliajt sinjalizojnë përkeqësim të situatës në orët në vijim, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren.
