Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin NATO-n, edhe nëse vendet aleate nuk tregohen të gatshme të ndihmojnë SHBA-në në raste të caktuara.
Trump u shpreh se roli i tij ka qenë vendimtar në balancat globale të sigurisë, duke pohuar se pa ndikimin e tij personal, Rusia do ta kishte pushtuar të gjithë Ukrainën deri tani.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni mes SHBA-së dhe disa vendeve evropiane të NATO-s, të nxitura nga dëshira e Trump për të blerë Groenlandën nga Danimarka. Kryeministrja daneze ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të përbënte një goditje serioze për aleancën.
Trump theksoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij të parë ka ndalur ose i ka dhënë fund tetë konflikteve të mëdha ndërkombëtare, duke shtuar se kjo, sipas tij, ka shpëtuar miliona jetë njerëzish. Ai u ankua se pavarësisht kësaj, nuk u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen.
Sipas Trump, Rusia dhe Kina nuk do ta kishin frikë NATO-n pa praninë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa ai nënvizoi se rindërtimi i ushtrisë amerikane gjatë mandatit të tij të parë ka qenë thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit global të fuqisë.
