Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ironizuar publikisht presidentin francez Emmanuel Macron, duke treguar se si, sipas tij, e detyroi Francën të rriste ndjeshëm çmimet e barnave, përmes kërcënimit me tarifa të larta doganore ndaj produkteve franceze.
Gjatë një fjalimi për ligjvënësit republikanë, Trump deklaroi se SHBA-të kanë subvencionuar kujdesin shëndetësor global për dekada dhe se politika e tij e quajtur “Kombi Më i Favorizuar” u përdor për të ushtruar presion mbi aleatët europianë.
Sipas Trump, ai i kërkoi Macronit të trefishonte çmimet e barnave me recetë, duke argumentuar se amerikanët po paguajnë deri në 14 herë më shumë se qytetarët francezë për të njëjtat produkte. Kjo kërkesë, sipas tij, u refuzua fillimisht nga Parisi.
Trump tha se më pas lëshoi një ultimatum, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave 25 për qind për të gjitha importet franceze në SHBA, përfshirë verën dhe shampanjën, nëse kërkesat nuk pranoheshin.
Sipas rrëfimit të tij, kërcënimi funksionoi. Trump pretendoi se Macron pranoi marrëveshjen dhe i tha në mënyrë private:
“Do të bëj çfarëdo që të duash, vetëm mos ia thuaj francezëve.”
Ai shtoi se pas kësaj, çmimet e barnave në Francë u rritën nga rreth 10 dollarë për pilulë në 30 dollarë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara çmimet ranë. Trump e cilësoi tarifën me të cilën kërcënoi Francën si shumëfish më të lartë se përfitimi ekonomik që kërkonte.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime dhe polemika, duke rikthyer në vëmendje stilin konfrontues të Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat tregtare.
