Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi datën e protestës së radhës, duke sqaruar se çdo vendimmarrje do të bëhet pas diskutimeve në një tryezë të përbashkët.
Berisha tha se ditën e premte do të mblidhet një tryezë e gjerë me pjesëmarrjen e forcave opozitare dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ku do të diskutohet jo vetëm data e protestës, por edhe qëndrimet politike në vijim.
“Asnjë datë nuk është përcaktuar. Ditën e premte do të mblidhet një tryezë shumë e gjerë e opozitës dhe e shoqërisë civile, ku do të përcaktohet data dhe qëndrimet në vazhdim. Ne shkojmë në tryezë të hapur për të diskutuar dhe për të vendosur bashkërisht mbi protestat. Datën do ta caktojë ajo tryezë,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se vendimi do të jetë rezultat i konsultimit dhe dakordësisë mes të gjitha palëve pjesëmarrëse, duke lënë të hapur mundësinë që data e protestës të ndryshojë nga ajo e përfolur në media.
Takimi pritet të përcaktojë hapat e ardhshëm të aksionit opozitar në javët në vijim.
