Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të zbusë masën e sigurisë për shtetasin kinez Hongping Xiao, CEO i kompanisë Bankers Petroleum, duke e ndryshuar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Xiao akuzohet për evazion fiskal në përmasa të mëdha, në kuadër të hetimeve ndaj kompanisë më të madhe të nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Sipas prokurorisë, për rreth 20 vite, kompania ka shmangur detyrimet tatimore, duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.
Hetimet tregojnë se gjatë periudhës 2004–2024, kompania dyshohet se ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar humbje financiare çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh.
Aksioni ndaj Bankers Petroleum Albania u zhvillua më 2 korrik nga Prokuroria e Fierit, ku u ekzekutuan 10 masa sigurie, ndërsa 4 shtetas të huaj vijojnë të jenë ende në kërkim. Sipas hetuesve, kompania dyshohet se ka kryer deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në shkallë të gjerë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin plotësisht skemën e dyshuar të evazionit fiskal.
