Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një konference për mediat, duke deklaruar se ai po mbron familjarë të afërt të bashkëshortes së tij dhe persona të përfshirë, sipas tij, në skandale të rënda korrupsioni.
Berisha u shpreh se Rama po mbron baxhanakun dhe kunatin e florinjtë të Linda Ramës, Armando Frangun, duke theksuar se dosja në fjalë ka dy autorë kryesorë. Sipas tij, arsyeja pse Rama nuk shkëputet nga bashkëpunëtorët e tij është se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi të.
“Rama e ka shumë të qartë se çdo akt i asaj dosjeje ka dy autorë, Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, ndaj nuk e lëshon. Ai e di shumë mirë se pas Lindës së AKSH-it qëndron Linda e Surrelit, me prova, regjistrime ambientale dhe dëshmi të dëshmitarëve,” deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, edhe persona të tjerë të përfshirë në çështje janë, sipas tij, porosi direkte të kryeministrit për interesa familjare. Ai akuzoi Ramën se është i gatshëm të shkelë ligjin dhe Kushtetutën për të penguar drejtësinë që të veprojë ndaj njerëzve të afërt me të.
Berisha shtoi se këto çështje janë objekt hetimi dhe se, sipas tij, ekzistojnë materiale të depozituara në SPAK që implikojnë edhe bashkëshorten e kryeministrit. Ai e cilësoi situatën si një betejë personale të Ramës për mbijetesë politike, duke përdorur një gjuhë të ashpër akuzuese.
Deklaratat e Berishës pritet të ndezin më tej debatin politik dhe të sjellin reagime nga mazhoranca në orët në vijim.
