Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një situatë alarmante në fshatin Vajzë, ku rrëshqitja e dheut dhe gurëve ka goditur drejtpërdrejt zonën e banuar. Masive të mëdha toke janë shkëputur nga kodra, duke dëmtuar fillimisht rrugën e fshatit dhe më pas duke përfunduar në oborret e banesave.
Si pasojë, dy shtëpi kanë pësuar dëmtime, ndërsa banorët janë detyruar të largohen për arsye sigurie. Forcat e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në zonë, duke kryer evakuimin dhe duke vendosur masa për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Qarkullimi në segmentin rrugor është i kufizuar dhe po zhvillohet nën kontroll, pasi ekziston rreziku real i rrëshqitjeve të tjera. Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa banorët shprehen të frikësuar nga përkeqësimi i mëtejshëm i kushteve për shkak të motit të paqëndrueshëm.
