“PANIK NË MAJË TË SHTETIT”/ Berisha: Rama dhe Balluku po fshijnë gjurmët e korrupsionit, drejtësia po sabotohet me tre turne

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i cilësuar veprimet e tyre si një operacion të organizuar për shkatërrimin, manipulimin dhe falsifikimin e provave, me synim bllokimin e proceseve gjyqësore që, sipas tij, lidhen me afera madhore korrupsioni.

Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se në qendrat kryesore të pushtetit po funksionon një “makineri kriminale” që punon pa ndërprerje për të zhdukur dokumente komprometuese. Ai theksoi se kjo veprimtari, sipas tij, po zhvillohet në ministri, agjenci shtetërore dhe struktura të lidhura me AKSHI-n, me qëllim pengimin e drejtësisë.

Sipas Berishës, hetimet dhe dosjet e deritanishme nxjerrin në pah shpërdorimin e mbi 1.2 miliardë eurove në sektorin e infrastrukturës, si dhe rreth 700 milionë euro të tjera të përfituara përmes qindra kontratave të klasifikuara dhe prokurimeve sekrete. Ai pretendoi se këto fonde janë kanalizuar drejt një rrethi të ngushtë familjarësh dhe bashkëpunëtorësh të afërt me kryeministrin, përmes skemave të dyshuara klienteliste.

Berisha deklaroi se përpjekjet për të zhdukur gjurmët financiare janë të dënuara të dështojnë, pasi, sipas tij, ekzistojnë qindra kontrata, qindra transaksione dhe dokumente zyrtare që nuk mund të fshihen. “Dielli me shoshë nuk mbulohet”, u shpreh ai, duke theksuar se çdo përpjekje për të penguar hetimet përbën një krim të vazhdueshëm dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Në përfundim, kreu i PD-së paralajmëroi se sabotimi i drejtësisë dhe shkatërrimi i provave nuk do të ndalojnë zbardhjen e së vërtetës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve të drejtësisë dhe përgjegjësi penale për të gjithë ata që, sipas tij, janë të përfshirë në këto veprime.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related