Shqipëria do të vijojë të ndikohet edhe sot nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin, ndërsa reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të mëngjesit.
Reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona priten edhe reshje më intensive, kryesisht gjatë orëve të para të ditës. Qytetet më të prekura nga reshjet me intensitet mesatar deri të lartë janë Shkodra, Lezha, Kruja, Kurbini, Durrësi, Tirana, Himara, Delvina, Saranda, Dropulli, Gjirokastra dhe Përmeti.
Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, reshjet do të vijojnë herë pas here me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara lokalisht me shtrëngata shiu dhe shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë nga drejtimi juglindje–jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë shpejtësi deri në 18 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 4 deri në 5 ballë, duke e bërë të nevojshëm kujdesin për lundrimin dhe aktivitetet detare.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat e prekura nga përmbytjet dhe në akset rrugore ku kushtet e motit mund të krijojnë vështirësi në qarkullim.
