Alarm i kuq nga moti! Përmbytje dhe rrëshqitje dherash, IGJEUM paralajmëron rrezik serioz në 8 qarqe

Data

Situata meteorologjike në vend pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë ditës së sotme dhe ditës së nesërme. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron reshje intensive, me rrezik real për përmbytje, vërshime të lumenjve dhe rrëshqitje dherash, veçanërisht në veri dhe jug të Shqipërisë.

Sipas parashikimeve, qarqet më të rrezikuara janë Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, ku priten vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash në zonat kodrinore dhe malore. Në zonat urbane, përmbytjet e lokalizuara mbeten një rrezik serioz, sidomos aty ku rrjetet e kanalizimeve janë të amortizuara ose të bllokuara.

Sipas llogaritjeve hidrologjike, reshjet e forta të ditëve të fundit, të cilat pritet të vazhdojnë deri të enjten, do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të ujit në lumenjtë kryesorë të vendit. Drini-Buna, Liqeni i Shkodrës, lumi Mat, Shkumbini dhe Vjosa paraqesin rrezik të shtuar për dalje nga shtrati dhe përmbytje.

Veçanërisht problematike pritet të jetë situata në zonën e Shkodrës, ku lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë rrezik të lartë për përmbytje gjatë orëve në vijim dhe ditës së nesërme.

Në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në Shkodër dhe Lezhë reshjet do të jenë intensive. Qarqet e tjera do të përballen me reshje mesatare deri lokalisht të forta, të shoqëruara me shtrëngata.

Në zonat veriore, lindore dhe juglindore, mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore. Ndërkohë, era pritet të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë vijës bregdetare, duke shtuar rrezikun për probleme të tjera.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi orët në vijim pritet të jenë vendimtare për përkeqësimin e situatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related