“3 javë për të ngrënë Vitin e Ri” – PS bojkoton Këshillin e Mandateve, Bardhi shpërthen: Akt i paprecedent për të mbrojtur Ballukun

Data

Partia Socialiste ka bojkotuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve, duke bllokuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Opozita e cilëson këtë veprim si një akt të paprecedent dhe një shkelje të hapur të rregullores së Kuvendit.

Sipas deklarimeve të Bardhit, pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve kanë kërkuar zyrtarisht mbledhjen e këtij organi për të vijuar procedurën ligjore mbi kërkesën e SPAK. Ai thekson se rregullorja e Kuvendit është dokumenti i vetëm ligjor që duhet të zbatohet dhe se kryetari i Kuvendit ka detyrimin të thërrasë mbledhjen dhe të përcaktojë rendin e ditës.

“Sot bëhen tre javë që SPAK ka kërkuar lejimin e arrestimit të Ballukut dhe po tre javë që anëtarët e PS fshihen, duke shkelur ligjin,” deklaroi Bardhi, duke e cilësuar vonesën si të qëllimshme.

Sipas tij, kjo është hera e parë që një kërkesë e tillë mbahet peng për kaq gjatë, ndërsa thekson se vetë Balluku ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me provat. Në të njëjtën kohë, ka pasur deklarata kontradiktore nga mazhoranca, ku nga njëra anë pretendohej se materialet ishin shqyrtuar, ndërsa nga ana tjetër pranohej se ato nuk ishin tërhequr fare.

Bardhi e cilëson afatin trejavor si një manovër politike për t’i dhënë kohë Ballukut që të kalonte festat e fundvitit jashtë qelisë. “I dhanë tre javë që të hante Vitin e Ri në shtëpi dhe jo në Burgun e Pojskës. Ky afat tashmë ka skaduar,” u shpreh ai.

Në përfundim, opozita i kërkon kryetarit të Kuvendit të japë shpjegime publike për arsyen pse nuk thërret Këshillin e Mandateve dhe pse po pengohet një procedurë që, sipas tyre, duhet të ishte trajtuar pa vonesa dhe pa mbrojtje politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related