Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg katër persona të akuzuar për vendosjen e lëndës plasëse në një pallat në Shkodër, ngjarje nga e cila humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri.
Gjatë hetimeve, Gert Bushati ka pranuar se ka qenë ai që ka vendosur sasinë e tritolit më 27 dhjetor në panelin e matësve elektrikë të pallatit. Sipas deklarimit të tij, eksplozivi është vendosur fillimisht një herë më parë, por nuk ka shpërthyer, ndërsa hera e dytë rezultoi fatale, duke shkaktuar vdekjen e Ymerit dy ditë më pas.
Bushati ka deklaruar se është kontaktuar nga tre persona të tjerë – Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi – të cilët, sipas tij, i kanë kërkuar të vendoste tritolin duke i thënë se qëllimi ishte vetëm për të trembur dikë dhe jo për të shkaktuar vrasje. Ai ka pohuar se për këtë veprim ka marrë shumën prej 1500 eurosh.
“Kur mora vesh se kishte vdekur një person, u trondita. Nuk kam pasur dijeni se do të kishte viktimë. Më ishte thënë se do të ishte vetëm për frikësim”, ka deklaruar Bushati në polici.
Tre të arrestuarit e tjerë nuk e kanë pranuar përfshirjen në ngjarje, duke mohuar çdo lidhje me vendosjen e eksplozivit. Megjithatë, hetuesit kanë sekuestruar telefona, kanë kryer përgjime dhe po analizojnë prova të tjera që mund të implikojnë edhe ata.
Për shkak të rrëfimit të Bushatit, masa e sigurisë për të është shqyrtuar veçmas, ndërsa për tre të tjerët seanca është zhvilluar më herët.
Aktualisht mbetet e paqartë arsyeja e vrasjes së Hysni Ymerit. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë edhe ngjarje të mëparshme kriminale të lidhura me familjarë të viktimës, por edhe konflikte të mundshme të tjera.
Ndaj katër të arrestuarve rëndojnë akuzat për:
- vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim
- shkatërrim të pronës me eksploziv
- mbajtje dhe prodhim të paligjshëm të armëve shpërthyese
- prishje të qetësisë publike
- si dhe akuza të tjera të lidhura me veprimtari kriminale
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rolit të secilit të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
