Donald Trump ka lëshuar akuza të forta ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, duke e cilësuar atë si një “njeri shumë të sëmurë” dhe duke e akuzuar për prodhimin dhe shpërndarjen e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara. Trump deklaroi se kjo situatë “nuk do të zgjasë shumë” dhe se një ndërhyrje amerikane në Kolumbi “i duket e pranueshme”.
I pyetur nëse kjo nënkupton një operacion të mundshëm të SHBA-së në Kolumbi, Trump u shpreh shkurt se një veprim i tillë do t’i dukej “në rregull”, duke shtuar edhe më shumë tensionin politik në rajon.
Nga ana tjetër, presidenti kolumbian ka reaguar duke deklaruar se autoritetet e vendit të tij po konfiskojnë sasi rekord kokaine dhe po intensifikojnë luftën kundër karteleve të drogës. Ai ka ftuar gjithashtu Trumpin të vizitojë Kolumbinë për të parë nga afër operacionet kundër laboratorëve të drogës.
Petro ka kritikuar ashpër ndërhyrjen amerikane në Venezuelë, duke e cilësuar atë si një shkelje të sovranitetit të Amerikës Latine dhe duke paralajmëruar rrezikun e një krize humanitare në rajon.
Ndërkohë, situata e sigurisë është tensionuar ndjeshëm, pasi autoritetet kolumbiane kanë dislokuar mbi 30 mijë trupa përgjatë kufirit me Venezuelën. Forcat janë përqendruar kryesisht në zonat ku veprojnë grupe të fuqishme kriminale dhe kartele droge, për të parandaluar destabilizimin dhe përhapjen e dhunës.
Deklaratat e Trump kanë shtuar spekulimet se Kolumbia mund të jetë shënjestra e radhës e një aksioni amerikan, pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë.
