Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se po rishikojnë skemën e vaksinimit për fëmijët, duke rekomanduar katër vaksina më pak në kalendarin standard. Autoritetet amerikane thonë se ky ndryshim synon ta afrojë SHBA-në me praktikat e vendeve të tjera të zhvilluara dhe përputhet me një nga objektivat afatgjata të Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.
Vendimi u miratua nga drejtori në detyrë i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Jim O’Neill, dhe u konfirmua nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), rreth një muaj pasi presidenti Donald Trump kërkoi publikisht uljen e numrit të vaksinave për fëmijët.
Sipas HHS, vaksinat kundër rotavirusit, gripit, sëmundjes meningokokale dhe hepatitit A nuk janë hequr plotësisht, por janë kaluar në kategorinë e vendimmarrjes së përbashkët, ku prindërit dhe mjekët vendosin së bashku në bazë të rrezikut dhe nevojave individuale të fëmijës.
Ky ndryshim është marrë jashtë procedurës standarde, e cila zakonisht përfshin një panel të pavarur ekspertësh që vlerësojnë ndikimin e vaksinave në shëndetin publik. Dy zyrtarë të lartë të HHS, Martin Kulldorf dhe Tracy Beth Hoeg, analizuan protokollet e vaksinimit në 20 vende të zhvilluara dhe propozuan ndryshimet për SHBA-në.
Udhëzimet e reja ruajnë imunizimin e detyrueshëm për 11 sëmundje, përfshirë fruthin, shytat dhe varicelën. Ndërkohë, disa vaksina të tjera janë përcaktuar vetëm për grupet me rrezik të lartë ose në varësi të vlerësimit individual.
Autoritetet sqaruan gjithashtu se kompanitë e sigurimeve do të vazhdojnë të mbulojnë kostot e vaksinimit, pavarësisht nga ndryshimet në rekomandime. Një tjetër risi është se CDC tani sugjeron një dozë të vetme të vaksinës kundër HPV, në vend të dy dozave të mëparshme.
