“Ramaduro i Venezuelës doli sot para gjyqit” – Berisha: Rrëzimi i diktatorëve është respekti më i madh për ligjin

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në protestën e parë të opozitës për vitin 2026 përpara Kryeministrisë, deklaroi se ky vit do të shënojë një fazë të re historike, të ngjashme me periudhën e rrëzimit të diktaturave komuniste në Europë.

Berisha u shpreh se forma më e përhapur e diktaturës sot janë, sipas tij, narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale, duke iu referuar vendeve ku zgjedhjet, sipas tij, janë shndërruar në farsë.

Ai komentoi edhe zhvillimet e fundit në Venezuelë, duke përmendur daljen para gjyqit të presidentit Nicolás Maduro, të cilin e quajti “Ramaduro”.

“Sot, falë një operacioni të ushtrisë amerikane dhe qeverisë së SHBA-ve, Ramaduro i Venezuelës doli para gjyqit. Ishte një nga operacionet më të përsosura në histori,” deklaroi Berisha.

Në vijim, ai kritikoi mediat që i cilësoi si të kontrolluara nga qeveria, duke thënë se ato kanë reaguar duke akuzuar SHBA-të për shkelje të sovranitetit dhe të ligjit ndërkombëtar.

Sipas Berishës, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit dhe të ligjit ndërkombëtar janë vetë diktatorët.

“Rrëzimi i diktatorëve është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, për ligjin kombëtar dhe për qytetarët e vendeve të shtypura,” tha ai.

Ai shtoi se nuk mund të ketë sovranitet real në një vend ku zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale dhe ku vullneti i qytetarëve, sipas tij, asgjësohet nga pushteti.

“Narko-diktatori që shndërron zgjedhjet në farsë shkelmon sovranitetin e kombit të tij. Ai nuk meriton asnjë ditë të qëndrojë në pushtet,” përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related