Kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Ilir Metën

Data

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke vendosur vijimin e qëndrimit të tij në qeli.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar ditën e sotme në GJKKO. Ilir Meta ndodhet në arrest që prej 21 tetorit 2024, në kuadër të një hetimi të SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Sipas hetimeve, Meta dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë, kanë shfrytëzuar postet e tyre politike dhe shtetërore për të favorizuar kompani private. Hetimet përfshijnë disa episode të dyshuara korrupsioni të shtrira në kohë, lobime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe transaksione të dyshuara në shitblerje banesash, në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash.

Prokuroria pretendon se këto të ardhura janë tentuar të fshihen përmes mosdeklarimit në institucionet përkatëse, përfshirë ILDKPI dhe KQZ.

Sa i përket Monika Kryemadhit, ajo po hetohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të të ardhurave. GJKKO ka lënë në fuqi ndaj saj masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e njëjta masë që është vendosur edhe për të hetuarën Ema Çoku, për veprën penale të pastrimit të parave.

Ndërkohë, ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, gjykata ka zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Të gjithë personat nën masën “detyrim paraqitje” janë urdhëruar të paraqiten një herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore të SPAK.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related