Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Sarandës, ku një grua 85-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i katit të tretë të një pallati.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në lagjen nr. 3 të qytetit. E moshuara, e identifikuar si Selfije Demani, është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët e kanë futur menjëherë në sallën e operacionit, por pavarësisht ndërhyrjes, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë operacionit.
Sipas burimeve, në momentin e ngjarjes 85-vjeçarja ndodhej e vetme në banesë. Mësohet se ajo kishte probleme me shikimin dhe lëvizte me ndihmën e patericave. Po ashtu, dyshohet se vuante edhe nga probleme të shëndetit mendor.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke shqyrtuar dy pista: atë të një vdekjeje aksidentale dhe atë të vetëvrasjes.
