Avokati Rezart Kthupi ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë po e çojnë vendin drejt një krize serioze institucionale. I ftuar në një emision televiziv, Kthupi u shpreh qartë se drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si pronë e pushtetit.
Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te ligjet apo te funksionimi i përditshëm i gjykatave, por te rreziku i prekjes së arkitekturës së sistemit të drejtësisë, gjë që do të sillte pasoja të rënda për shtetin e së drejtës.
“Mënyra se si funksionon sistemi i drejtësisë është arkitektura e tij: si zgjidhen gjyqtarët, si plotësohen vakancat, si garantohet pavarësia. Kjo arkitekturë nuk duhet prekur. Çdo tentativë për ta deformuar është një hap i rrezikshëm”, deklaroi Kthupi.
Ai theksoi se ndërhyrjet politike apo presioni ndaj institucioneve të drejtësisë minojnë besimin e qytetarëve dhe e vendosin vendin në një situatë të rrezikshme, ku drejtësia shndërrohet në instrument pushteti.
Avokati ngriti gjithashtu alarmin për situatën kritike në gjykata, veçanërisht për numrin e madh të dosjeve të prapambetura. Sipas tij, Gjykata e Apelit është e mbingarkuar dhe ndodhet në një gjendje alarmante.
“Duhet zgjidhur urgjentisht problemi i dosjeve të prapambetura. Apeli është i stërmbytur. Duhet më shumë infrastrukturë, më shumë burime njerëzore dhe ndryshime procedurale që proceset të mos zvarriten pafundësisht”, u shpreh ai.
Kthupi nënvizoi se pa një drejtësi funksionale, të pavarur dhe të çliruar nga ndikimi politik, vendi rrezikon të futet në një spiral krize, ku ligji nuk garanton më barazi dhe siguri për qytetarët.
Mesazhi i tij ishte i prerë: drejtësia nuk është dhe nuk duhet të bëhet pronë e asnjë pushteti.
