Më shumë se 35 mijë familje në jugperëndim të Berlinit kanë mbetur pa energji elektrike që prej ditës së djeshme, pas një akti të qëllimshëm zjarrvënieje në një stacion shpërndarjeje të energjisë. Policia gjermane konfirmoi se ndërprerja masive e rrymës nuk ishte aksidentale, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e mori një organizatë e ekstremit të majtë.
Sipas autoriteteve, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën elektrike, duke e bërë rikthimin e furnizimit me energji një proces të ndërlikuar dhe të zgjatur. Situata është përkeqësuar nga temperaturat shumë të ulëta, të cilat po rëndojnë jetën e përditshme të mijëra banorëve.
Ndërprerja e energjisë ka prekur jo vetëm familjet, por edhe institucione të ndjeshme si spitale, azile pleqsh, shkolla dhe qendra të kujdesit ditor, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe shëndetin publik.
Grupi që mori përgjegjësinë për sulmin është i njëjti që, në maj të vitit të kaluar, kishte deklaruar se qëndronte pas një akti të ngjashëm ndaj një nënstacioni transmetimi radiofonik në një zonë luksoze të Berlinit. Në deklaratat e tij, grupi ka pretenduar se veprimet e tilla janë një formë proteste kundër pabarazisë sociale dhe pasurisë së përqendruar te shtresat e pasura, duke bërë thirrje për shpronësimin e komplekseve rezidenciale luksoze.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetime të thelluara për identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike dhe normalizimin e situatës.
