Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, mbajti sot një fjalim para Kryeministrisë gjatë protestës kundër qeverisë, duke theksuar se kjo shënon ditën e 28-të të qëndresës qytetare kundër korrupsionit dhe vjedhjes.
Lapaj u shpreh se qëndresa, edhe kur bëhet nga një numër i vogël qytetarësh, është një rrugë e drejtë kur përballë qëndron padrejtësia. Ai akuzoi qeverinë për dështim në përmbushjen e premtimeve me të cilat erdhi në pushtet dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit.
“Sot jemi në ditën e 28-të të qëndresës qytetare kundër hajdutërisë. Sot bota është më e lirë, sepse një diktator përtej oqeanit ka rënë, ndërsa ne kemi përballë një autokrat. Kjo është një përballje me hajdutët dhe edhe nëse qëndron vetëm një njeri, ajo është një rrugë e drejtë”, u shpreh Lapaj.
Ai kujtoi premtimet kryesore të qeverisë në fillim të mandatit, duke ngritur pyetje retorike mbi realitetin aktual në vend.
“Erdhi në pushtet për të sjellë ujë, për të vendosur rend dhe ligj. A kemi sot rend dhe ligj? Erdhi për të luftuar krimin dhe drogën. A kemi sot krim dhe drogë? Erdhi për të luftuar korrupsionin. A jemi sot vendi më i korruptuar apo jo?”, tha Lapaj.
Në përfundim të fjalës së tij, ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke e cilësuar atë si “njeriun më të korruptuar në Evropë”, sipas deklarimeve të tij.
