Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke e cilësuar këtë zhvillim si një fitore për drejtësinë dhe lirinë.
Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se “bota sot është më mirë se dje, si gjithmonë falë SHBA-së”, duke theksuar se çdo regjim që mban pushtetin përmes karteleve të drogës dhe shtyp qytetarët, do të përballet me të njëjtin fat si ai i Maduros.
Sipas tij, pushteti duhet të jetë një mjet për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo për ndërtimin e perandorive personale, të cilat shemben shpejt. Bardhi nënvizon se kjo ngjarje përbën një mesazh të qartë dhe domethënës për të gjithë ata që duan ta kuptojnë realitetin.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Bota sot është më mirë se dje! Si gjithmonë falë SHBA-së!
Narkoregjimi i Maduros mori sot goditjen e merituar dhe, sikurse paralajmëroi Presidenti Trump, fatin e tij do ta ketë çdo regjim i ngjashëm që mban pushtetin përmes karteleve të drogës për të shtypur e varfëruar qytetarët e tij.
Pushteti është mjeti për t’i shërbyer qytetarëve, jo për të ndërtuar perandori të rreme për veten, që shemben vetëm në një sekondë.
Mesazhi është i qartë dhe domethënës për këdo që ka veshë të dëgjojë.”
