Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë transferuar në një anije me destinacion Nju Jorkun.
Deklarata e Trump vjen disa orë pas operacionit ushtarak të zhvilluar në Karakas, ku sipas tij, Maduro dhe bashkëshortja u kapën nga një njësi speciale e forcave amerikane. Presidenti amerikan konfirmoi se çifti presidencial ndodhet tashmë në rrugë drejt Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se operacioni kishte për qëllim dërgimin e një “mesazhi të qartë në çdo drejtim”.
Trump u shpreh se Maduro u kap “në një vend që dukej më shumë si një fortesë sesa si një shtëpi”, ndërsa shtoi se kishte komunikuar me të rreth një javë më parë dhe se e kishte paralajmëruar të largohej nga vendi.
Ai deklaroi se operacionin e kishte ndjekur drejtpërdrejt, duke e krahasuar me “një shfaqje televizive”. “Nëse e patë shpejtësinë dhe dhunën e operacionit, ishte diçka e mahnitshme”, u shpreh Trump, duke shtuar se “asnjë vend tjetër në botë nuk do të ishte në gjendje ta realizonte një veprim të tillë”.
Presidenti amerikan foli edhe për zhvillimet politike në Venezuelë, duke deklaruar se mbetet për t’u parë nëse opozitarja Maria Corina Machado do të marrë drejtimin e vendit, ndërsa theksoi se aktualisht vendi ka një zëvendëspresident në detyrë.
Në deklaratat e tij, Trump nuk i fshehu as synimet e SHBA-së lidhur me pasuritë natyrore të Venezuelës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të përfshihen drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive në sektorin e naftës së vendit.
