Pas përfundimit të festave të fundvitit të kaluara në vendlindje, ka nisur rikthimi i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, ku ata jetojnë dhe punojnë prej vitesh.
Gjatë kësaj të shtune, rreth 1 mijë pasagjerë janë imbarkuar në tragetin e linjës Vlorë–Itali, ndërsa autoritetet portuale bëjnë me dije se fluksi i udhëtarëve pritet të mbetet i lartë edhe gjatë dy deri në tre ditëve në vijim.
Qytetarët që kanë kaluar festat pranë familjeve të tyre shprehen se largohen me emocione të forta, duke vlerësuar mikpritjen dhe atmosferën festive në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.
Për të përballuar situatën dhe për të shmangur radhët e gjata, autoritetet portuale kanë shtuar numrin e sporteleve dhe të efektivëve në shërbim, me qëllim garantimin e një procesi sa më të rregullt dhe të shpejtë të imbarkimit.
