Zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau, ka reaguar lidhur me sulmet amerikane të ndërmarra në kryeqytetin venezuelian, Karakas. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Landau ka mbështetur deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se Nicolás Maduro do të përballet me drejtësinë për krimet e tij.
Sipas Landau, veprimet e fundit të administratës amerikane synojnë dhënien fund të pandëshkueshmërisë së regjimit venezuelian, të cilin e akuzon për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe veprimtari kriminale.
Presidenti Trump njoftoi këtë të shtunë se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm në shkallë të gjerë kundër objektivave në Venezuelë, duke deklaruar se presidenti venezuelian Nicolás Maduro është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit me aeroplan, së bashku me bashkëshorten e tij.
Sipas deklaratave zyrtare nga Uashingtoni, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e sigurisë amerikane dhe priten detaje të tjera në orët në vijim lidhur me fatin e Maduron dhe zhvillimet e mëtejshme në Venezuelë.
